Rikthehet Nora Istrefi – publikon baladën “Më mungon”

March 12, 2022 - 1188 views

Këngëtarja e njohur nga Kosova, Nora Istrefi, e ka publikuar projektin e parë muzikor për këtë vit -ndërsa kënga është e zhanrit baladë dhe titullohet “Më mungon”.

Kësaj radhe, Nora, muzikën dhe tekstin e këngës ia ka besuar Claydee, ndërsa atë e ka sjellë edhe me një video klip, i cili për dallim nga herët e kaluara, përmban vetëm dy skena të xhiruara nga kompania, Sekuencë.

Në njërën skenë të klipit, këngëtarja shfaqet e veshur plot me stil e trëndafila, ndërkohë që edhe sfondi nga prapa i përshtatet pikërisht paraqitjes së Norës, ku dominon ngjyra e kuqe.

Ndërkaq, në skenën tjetër të video klipit të këngës “Më mungon”, artistja paraqitet në një set trendi të rrobave me ngjyrë të zezë, ndërsa në fokus vihen format e saj trupore, e sidomos barku i skalitur.

Ky projekt shënon rikthimin e Norës në diskografinë shqiptare pas një kohe relativisht të gjatë, ndërsa pason këngën “Ay Caramba”, në të cilën ajo bashkë me Gjikon, ishin mysafirë të rep artistes, Melinda Ademi.

“Ay Caramba”, ishte mes hiteve më të suksesshme të vitit që lamë pas, teksa kënga e publikuar edhe me video klip ka grumbulluar afro 20 milionë klikime në platformën, YouTube.

Pos, projekteve muzikore, vëmendje të madhe në jetën e Nora Istrefit kishte marrë edhe martesa e ndarja me këngëtarin, Robert Berisha, me të cilin ndan edhe një vajzë – Renee.

Vitin që lamë pas, dyshja ishin jashtë Kosovës për pushime, ndërsa në mediat rozë u spekulua se ata “ishin ribashkuar”. Një gjë të tillë e kishte mohuar vetë, Nora, përmes disa postimeve në mediat sociale.

“Nuk e di sa është e rrugës të sqarohem për herë të 100-të, por në fakt më shumë më shqetëson mendësia se sa shkrimet për raportet tona me Robertin. E kam thënë, do ta them dhe do vazhdoj të mbroj kauzën që, pas çdo ndarjeje kur fëmijët janë në mes, lumturia e tyre është primare”, shkruante Nora.

Më tej, vazhdonte postimi i saj, “Unë do vazhdoj të kaloj kohë me babin e Renee-s, përderisa ajo është e lumtur, ndërsa në raportet tona s’ka ndryshuar asgjë, përvese raporteve korrekte miqësore”, kishte përfunduar ajo.

 /Albanianpost.com

Comments(0)

Log in to comment